Skip to content

Aksident i rëndë në Slloveni, tre viktima nga Maqedonia e Veriut

Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, mes tyre edhe dy të mitur, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën A1, pranë Unecit në Slloveni.

Ngjarja është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Në aksident kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, gjithashtu shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët udhëtonin në të njëjtin automjet.

Sipas mediave sllovene, aksidenti ka ndodhur pasditen e së enjtes. Një kamion ishte ndaluar në zonën e parkimit për shkak të një defekti, ndërsa automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit maqedonas është përplasur me pjesën e pasme të majtë të rimorkios.

Njëri prej të plagosurve, i cili ndodhej në gjendje të rëndë, është transportuar me helikopter drejt spitalit. Personi tjetër i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor me ambulancë.

Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Lubjanë është vënë në dijeni për ngjarjen nga autoritetet policore sllovene. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vijojnë nga autoritetet kompetente në Koper.

Published inNews Shqip