Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar Kongresin se armiqësitë me Iranin kanë përfunduar, pas një armëpushimi që është në fuqi që nga fillimi i muajit prill.
Në një komunikim zyrtar drejtuar drejtuesve të Kongresit, përfshirë Mike Johnson dhe Chuck Grassley, Trump bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë shkëmbim zjarri mes forcave amerikane dhe Iranit që nga 7 prilli 2026.
“Më 7 prill 2026 urdhërova një armëpushim dyjavor, i cili më pas është zgjatur. Që nga ajo datë nuk ka pasur shkëmbim zjarri mes Forcave të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Armiqësitë që nisën më 28 shkurt 2026 kanë përfunduar”, thuhet në letrat e dërguara nga Trump.
E premtja shënon 60 ditë nga momenti kur presidenti njoftoi zyrtarisht Kongresin për veprimet ushtarake. Sipas ligjit amerikan për kompetencat e luftës të vitit 1973, presidenti duhet të kërkojë miratimin e Kongresit nëse operacionet ushtarake zgjasin më shumë se 60 ditë.
Megjithatë, pavarësisht ndërprerjes së luftimeve, Trump paralajmëroi se Irani vijon të mbetet një kërcënim i rëndësishëm për forcat amerikane.
Ai shtoi se Departamenti i Mbrojtjes do të vazhdojë të rregullojë praninë dhe pozicionimin e forcave në rajon, në varësi të situatës, për të përballuar çdo rrezik të mundshëm dhe për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara, si dhe aleatët e saj.