Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të miratuar nga këshilli bashkiak, i cili vendos një tarifë maksimale prej 700 lekësh (rreth 7 euro) për përdorimin e shezlongëve në plazhe.
Ajo bëri të ditur se rreth 15 mijë metra katrorë vijë bregdetare do të jenë në dispozicion si plazh publik falas për qytetarët. Në këto zona parashikohet të vendosen rreth 350 çadra dhe shezlongë, si dhe do të ketë hapësira të dedikuara ku pushuesit mund të përdorin pajisjet e tyre personale pa pagesë.
Sipas Mersinit, kufiri prej 700 lekësh do të zbatohet edhe për plazhet private, të cilat do të operojnë në bashkëpunim me bizneset lokale. Ajo theksoi se ndryshe nga sezoni i kaluar, kur çmimet arrinin deri në 2 mijë lekë (rreth 20 euro), këtë vit nuk do të lejohet tejkalimi i tarifës së përcaktuar.
Ky vendim ka sjellë reagime dhe diskutime të shumta si në Këshillin Bashkiak, ashtu edhe mes qytetarëve të Vlorës gjatë ditëve të fundit.