PROTESTË KUNDËR BERISHËS NË NEW JERSEY/ “Rama burg, Berisha burg”, ish-kryeministri përgjigjet me dy gishta
Ndërsa brenda sallës shqiptarë të diasporës ishin mbledhur për të ndjekur takimin e Sali Berishës në New Jersey, jashtë ambienteve të aktivitetit pati edhe protestë.
Disa shqiptarë u dëgjuan duke brohoritur “Rama burg, Berisha burg”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj dy figurave politike.
Në një moment, teksa protestuesit thërrisnin “Berisha në burg”, ish-kryeministri reagoi nga larg. Ai i përshëndeti me dy gishtat lart dhe një buzëqeshje, pa iu afruar grupit të protestuesve.
Gjatë fjalës së tij para shqiptarëve në sallë, Berisha e cilësoi vizitën në Shtetet e Bashkuara si historike dhe emocionuese, duke theksuar se për shumëkënd një rikthim i tillë ishte konsideruar i pamundur.
Ai foli edhe për sfidat dhe vështirësitë e viteve të fundit, përfshirë shpalljen “non grata” në SHBA, duke thënë se identiteti shqiptar mbetet përgjigjja e tij përballë çdo dyshimi mbi forcën për të përballuar padrejtësitë.
Në fund, Berisha iu drejtua edhe atyre që, sipas tij, kishin luftuar për shpalljen e tij “non grata”, duke deklaruar se sot disa prej tyre ndodhen “prapa hekurave”, ndërsa ai vetë ndodhet në tokën amerikane.
