Sofia, emri që ka pushtuar botën! Ja pse prindërit e zgjedhin kaq shpesh për vajzat
Zgjedhja e emrit është një nga vendimet më të rëndësishme për prindërit që presin ardhjen në jetë të një fëmije. Në këtë moment lindin shumë dilema: A duhet zgjedhur një emër tradicional apo modern? I shkurtër apo i gjatë? Një emër me kuptim fetar, apo një emër i frymëzuar nga një personazh i njohur?
Pavarësisht zgjedhjes, emri bëhet pjesë e identitetit të një personi. Në fund të fundit, është personaliteti dhe karakteri i njeriut ai që i japin kuptim emrit, dhe jo domosdoshmërisht e kundërta.
Por ekziston një emër që duket se ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm në shumë vende të botës. Bëhet fjalë për Sofian, një emër që është ndër zgjedhjet më të zakonshme për vajzat në disa shtete.
Sipas një studimi të kryer nga Laura Wattenberg, e cila analizoi emrat e fëmijëve në 49 vende të ndryshme, Sofia rezulton të ketë një përhapje të veçantë ndërkombëtare.
Emri Sofia, së bashku me variantet e tij, është ndër emrat më të përdorur për vajzat në vende si Meksika, Rusia, Kili, Estonia dhe Sllovakia.
Madje, Sofia dhe format e saj të ndryshme shfaqen në listën e 25 emrave më të zakonshëm në rreth dy të tretat e vendeve që publikojnë statistika për emrat e fëmijëve.
Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë se popullariteti i Sofias nuk lidhet vetëm me një vend apo kulturë të caktuar. Përkundrazi, emri është përhapur në kontinente dhe shoqëri të ndryshme, duke u kthyer në një nga emrat më të njohur për vajzat në botë.
Duket se thjeshtësia, tingëllimi dhe përdorimi i gjerë ndërkombëtar e kanë bërë Sofian një zgjedhje të preferuar për shumë prindër.
