Wi-Fi falas në të 61 bashkitë e Shqipërisë, përfundon instalimi i pikave publike të internetit
Të gjitha 61 bashkitë e Shqipërisë tashmë kanë përfunduar instalimin e pikave publike të internetit pa pagesë, në kuadër të iniciativës “WiFi4WB”, një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.
Nga zonat malore e deri në bregdet, si dhe në qytetet e mëdha apo bashkitë më të vogla, qytetarët dhe turistët mund të përdorin rrjete publike Wi-Fi falas. Nisma synon t’u ofrojë shqiptarëve mundësi më të mira për akses në internet dhe të afrojë vendin me standardet digjitale të Bashkimit Evropian.
I ngarkuari me punë i BE-së në Shqipëri, Andre Rizzo, e ka cilësuar projektin si një tjetër hap konkret në procesin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, mbështetja e BE-së dhe Gjermanisë po ndihmon në rritjen e përfshirjes digjitale, përmirësimin e ndërlidhjes dhe integrimin gradual të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në ekosistemin digjital të BE-së dhe në Tregun e Vetëm Digjital.
Iniciativa “WiFi4WB” ka si objektiv krijimin e pikave publike të Wi-Fi falas në deri në 500 bashki në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Programi është ndërtuar mbi modelin “WiFi4EU”, përmes të cilit Bashkimi Evropian ka investuar rreth 130 milionë euro për ngritjen e rrjeteve publike Wi-Fi në rreth 9 mijë bashki në vendet anëtare.
Me përfundimin e këtij projekti, Shqipëria bën një tjetër hap drejt zgjerimit të aksesit publik në internet dhe përafrimit me infrastrukturën digjitale evropiane.
