Shqipëria pret më shumë fonde nga BE-ja, rriten pritshmëritë për përfitimet nga “Plani i Rritjes”
Teksa Shqipëria avancon në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, rriten edhe pritshmëritë për mbështetjen financiare që vendi mund të marrë nga Brukseli.
Për të ndihmuar Shqipërinë në zbatimin e reformave dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, vendi përfiton nga “Plani i Rritjes” për Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të këtij mekanizmi, Shqipëria synon të përthithë rreth 500 milionë euro gjatë periudhës 2026-2029.
Sipas kuadrit makroekonomik të rishikuar, qeveria ka rritur ndjeshëm parashikimet për fondet që pritet të përfitohen nga ky instrument. Rritja e pritshmërive arrin në 27.4 miliardë lekë krahasuar me planifikimin e mëparshëm.
Për vitin 2026 objektivi është ulur nga 3.15 miliardë në 1.7 miliardë lekë, ndërsa për vitet pasardhëse parashikimet janë rritur, me një rritje veçanërisht të ndjeshme për vitin 2028.
Në total, gjatë katër viteve Shqipëria synon të përfitojë rreth 47.4 miliardë lekë, ekuivalente me afërsisht 500 milionë euro sipas kursit aktual. Në dokumentin e miratuar në janar, parashikimi ishte vetëm 19.98 miliardë lekë, ose rreth 213 milionë euro.
Sipas planifikimeve të Ministrisë së Financave, në vitin 2027 Shqipëria pritet të përfitojë 14.1 miliardë lekë nga “Plani i Rritjes”. Për vitin 2028 parashikohet një shumë prej 16.9 miliardë lekësh, ndërsa për vitin 2029 rreth 14.7 miliardë lekë.
Këto pritshmëri lidhen edhe me objektivin e qeverisë për të përmbyllur deri në vitin 2027 të 33 kapitujt e negociatave, së bashku me reformat dhe angazhimet që kërkohen në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Ndërkohë, në mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, të zhvilluar në Tiranë, u bë e ditur se Shqipëria ka përfituar deri tani 212.8 milionë euro nga “Plani i Rritjes” për Ballkanin Perëndimor.
Instrumenti, me një fond total prej 6 miliardë eurosh, përfshin 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Ai u miratua nga Komisioni Evropian në nëntor 2023 dhe fondet shpërndahen në bazë të reformave dhe angazhimeve të përmbushura nga vendet përfituese.
