Endrit Thaçi u bën thirrje partive politike të bashkohen për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje subjekteve politike që të bashkohen dhe të mbështesin ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Thirrja u bë gjatë protestës “Jo në emrin tim”, ku Endrit Thaçi foli për TV Dukagjini dhe falënderoi qytetarët për mbështetjen e tyre.
Në fjalën e tij, ai iu drejtua drejtpërdrejt partive politike, duke kërkuar që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkohen për të votuar projektligjin që lidhet me Gjykatën Speciale.
“Ju ftoj të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe ta kalojnë ligjin për Gjykatën Speciale. Falënderoj të gjithë popullin për mbështetjen”, u shpreh ai.
Deklarata vjen në një moment kur Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa e Endrit Thaçit rikthen në vëmendje debatin politik rreth funksionimit dhe ndryshimeve të mundshme në kuadrin ligjor që lidhet me Dhomat e Specializuara.
