Eurodeputetja gjermane Anna Strolenberg ka reaguar për protestat studentore në Shqipëri, duke kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si po menaxhohet situata dhe duke kërkuar që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të reagojnë ndaj dhunës së raportuar gjatë demonstratave.
Në një postim në rrjetet sociale, Strolenberg thotë se ka parë pamje shqetësuese që, sipas saj, tregojnë përdorim force nga Policia ndaj protestuesve. Ajo e konsideron kryeministrin Rama përgjegjësin kryesor politik për situatën e krijuar.
“Përfundimi im, megjithatë, është i qartë, Edi Rama është shkaku i gjithë kësaj”, është shprehur eurodeputetja, duke kritikuar gjithashtu qëndrimin e kryeministrit ndaj protestuesve paqësorë.
Strolenberg ka ngritur shqetësime edhe për luftën kundër korrupsionit dhe mungesën e ndryshimeve që, sipas saj, janë të nevojshme për vendin. Ajo thekson se procesi i integrimit evropian duhet të shoqërohet me përmirësime konkrete në funksionimin e institucioneve dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Eurodeputetja shprehet se mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por nënvizon se ky proces kërkon edhe standarde demokratike dhe respektim të lirive themelore.
“Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të ketë një qeveri që respekton të drejtat themelore të qytetarëve të saj”, thekson Strolenberg, duke bërë thirrje që autoritetet shqiptare të përballen me presion për të garantuar këto standarde.
