Pezullohen dy policë pas publikimit të videos ku shfaqen duke dhunuar një protestues në Tiranë
Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale, ku shfaqen duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi gjatë tubimit të zhvilluar në Tiranë.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ka urdhëruar gjithashtu nisjen e një hetimi disiplinor ndaj dy efektivëve.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për inspektorët me inicialet E. P. dhe T. Ç., të cilët shërbejnë në Patrullën e Përgjithshme.
Policia bën të ditur se pezullimi erdhi menjëherë pas publikimit të videove, ku dy punonjësit dyshohet se kanë tejkaluar detyrën dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në protestë.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë raste dhune apo shkelje të kompetencave nga efektivët e saj. Sipas institucionit, përgjegjësia për veprimet është individuale, ndërsa sjellje të tilla dëmtojnë imazhin e policisë dhe besimin e qytetarëve.
Hetimi disiplinor pritet të shqyrtojë veprimet e dy punonjësve dhe rrethanat e incidentit.
