Zjarret kanë përfshirë disa zona malore përreth Prishtinës, duke shtuar shqetësimin për përhapjen e flakëve për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të thata.
Përballë situatës, Komuna e Prishtinës u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë ose përhapë zjarre.
Sipas autoriteteve, moti i nxehtë dhe thatësira krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve, duke rrezikuar pyjet, kafshët, pronat dhe sigurinë e qytetarëve.
Komuna u kërkon banorëve të mos ndezin zjarre në zona të hapura, të mos djegin barishte, hamullishta apo mbetje dhe të mos hedhin cigare të ndezura në natyrë. Gjithashtu, duhet treguar kujdes që prushi apo materiale të tjera të nxehta të mos lihen në ambiente ku mund të shkaktojnë zjarr.
Në rast se konstatohet tym ose flakë, qytetarët këshillohen të largohen nga zona e rrezikut dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e zjarrfikësve në numrin 193.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithëve për vigjilencë dhe reagim të shpejtë, veçanërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta.
