Skip to content

Gazetari zbulon prapaskenat: “Dosja është më e thellë se sa duket” – çfarë fshihet pas Hysenit dhe Agasit?

Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar në një emision televiziv se çështja që lidhet me ish-drejtoren e SHISH-it, Vlora Hyseni, duhet parë përtej personave dhe detajeve që janë bërë publike deri më tani.

Hoxha theksoi se publikimi i komunikimeve apo informacioneve të shkëputura nga konteksti i një dosjeje hetimore mund të krijojë një panoramë të paplotë të çështjes. Sipas tij, ende nuk dihet publikisht përmbajtja e plotë e dosjes dhe as shtrirja e hetimit.

“Çfarë ka dosja saktësisht e dinë vetëm ata që po merren me të. Çështja është shumë sensitive dhe prokurorët janë përpjekur që të mos rrjedhë informacion. Edhe ajo që ka dalë është shumë pak, por gjithsesi ka dhënë një lloj ngjyrimi”, deklaroi Hoxha.

Duke iu referuar hetimeve, gazetari tha se një prej çështjeve kryesore lidhet me telefonin e ish-drejtores së shërbimit informativ dhe me mënyrën se si do të përcaktohet shtrirja e hetimit.

“Është marrë telefoni i shefit të shërbimit informativ. Problemi që do të ketë SPAK-u është deri ku duhet ta kufizojë atë dhe të mos merret me pjesën tjetër”, u shpreh ai.

Hoxha përmendi gjithashtu emrat e Ergys Agasit dhe një koordinatori, duke pretenduar se pas tyre mund të ketë një rrjet më të gjerë personash dhe rrethanash që nuk janë bërë ende publike.

“Kur themi koordinator, Gysi nuk është thjesht një Gysi. Mbas Gysit është një gjë e madhe. Gysi është një e teta, që duket shtatë-tetë, ne nuk i shohim”, deklaroi gazetari.

Në vijim, Hoxha iu referua edhe vendimit të GJKK-së për masën e sigurisë, duke e cilësuar atë si një dokument me rëndësi për të kuptuar përmbajtjen e hetimeve.

“Vendimi i masës së sigurisë është një minierë e dosjes në vetvete. Pra, aty është e përcaktuar qartë që në media nuk duhet të dalë ai lloj informacioni, sepse janë komunikime të shkëputura nga konteksti”, tha ai.

Hoxha shtoi se informacionet për çështjen i ka marrë edhe nga burime të ndryshme, përfshirë burime pranë institucioneve shtetërore.

Published inNews Shqip