Skip to content

URGJENT – Edi Rama pritet t’i drejtohet qytetarëve me një mesazh

Kabineti qeveritar ka njoftuar se kryeministri Edi Rama do t’u drejtohet nesër shqiptarëve me një mesazh, menjëherë pas kthimit nga vizita e tij në Kombet e Bashkuara.

Ndryshe nga herët e tjera, komunikimi i kryeministrit nuk pritet të bëhet nga Kryeministria, por nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ende nuk dihet se çfarë do të deklarojë Rama gjatë këtij komunikimi, i planifikuar për të dielën, më 27 shtator. Po ashtu, mbetet e paqartë edhe ora e saktë e daljes së tij para publikut.

Sipas kabinetit të kryeministrit, orari do të bëhet i ditur gjatë paradites së nesërme, pasi nisja nga Aeroporti JFK në Nju Jork ende nuk është konfirmuar për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Ky komunikim vjen në një periudhë kur në vend janë zhvilluar debate dhe përplasje politike lidhur me institucione të ndryshme të larta shtetërore, ndërsa së fundmi vëmendja është përqendruar edhe te drejtimi i SHISH-it.

Në të njëjtën kohë, prej rreth katër muajsh vijojnë protesta të përditshme, të nisura më 31 maj. Tubimet nuk janë zhvilluar vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme jashtë Shqipërisë.

Published inNews Shqip