Gjatë seancës në Senat, senatori republikan Eric Schmitt e pyeti ish-prokurorin special Smith nëse gjatë karrierës së tij kishte pasur raste që nuk i kishte fituar. Smith pranoi se kishte pasur edhe çështje të tilla.
Schmitt e pyeti më pas për angazhimin e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke u ndalur edhe te çështja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në përgjigjen e tij, Smith iu referua aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026. Sipas tij, vendimi lidhej me përgjegjësinë penale për krime të kryera ndaj qindra personave gjatë luftës në Kosovë.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Trupi Gjykues gjeti Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin penalisht përgjegjës për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturën e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim.
Në të njëjtin vendim, gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për disa incidente të tjera të krimeve të luftës. Aktgjykimi i shkallës së parë është i apelueshëm.
Gjatë dëshmisë, Schmitt e pyeti gjithashtu Smithin nëse përfshirja e tij në çështjen e Hagës kishte pasur si qëllim përballjen politike me Donald Trumpin. Smith e mohoi këtë pretendim.
Dëshmia e Smithit në Senatin amerikan po zhvillohet në një periudhë debatesh të forta politike mbi mënyrën se si ai ka ushtruar detyrën si prokuror special dhe mbi hetimet e mëparshme ndaj Trumpit. Republikanët kanë ngritur akuza për përdorim të papërshtatshëm të autoritetit, ndërsa Smith ka mbrojtur veprimet e tij, duke argumentuar se ato janë bazuar në prova dhe në rregullat e Departamentit amerikan të Drejtësisë.
