Regjisori dhe pedagogu Joni Shanaj ka folur për presionet dhe kërcënimet që, sipas tij, ka marrë gjatë viteve të fundit, duke bërë të ditur se në disa raste ato kanë prekur edhe familjen e tij.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, Shanaj tha se ndaj tij janë bërë edhe deklarime që lidhen me kërcënime për jetën. Megjithatë, ai u shpreh se nuk ndihet i frikësuar dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimet e tij.
“Kam marrë forma të ndryshme presioni, kërcënimesh. Ka pasur edhe referenca publike për kërcënime ndaj jetës time. Unë nuk kam frikë”, deklaroi Shanaj.
Regjisori tha se presioni mund të ushtrohet edhe përmes familjarëve të tij, duke përmendur prindërit, aktorin dhe pedagogun Mevlan Shanaj dhe nënën e tij, Natasha.
Sipas Shanajt, prej 12 vitesh ai është pedagog në Universitetin e Arteve dhe ka ngritur shqetësime lidhur me projektligjin e ri për kinematografinë.
“Jam prej 12 vitesh në Universitetin e Arteve, jam pedagog dhe kritik. Nuk mund të mos flas kur shoh që një ligj që prek drejtpërdrejt fushën ku unë punoj po hartohet pa një konsultim të vërtetë profesional”, u shpreh ai.
Shanaj pretendoi gjithashtu se procesi i hartimit të projektligjit nuk ka qenë transparent dhe se Shoqata e Kineastëve Shqiptarë nuk është përfshirë mjaftueshëm në konsultime.
Në përfundim të intervistës, regjisori kërkoi që institucionet e drejtësisë të hetojnë zhvillimet në sektorin e kinematografisë gjatë 25 viteve të fundit. Ai përmendi BKH-në dhe SPAK-un dhe deklaroi se, sipas tij, problemet në këtë sektor nuk lidhen vetëm me përdorimin e fondeve, por edhe me çështje të meritokracisë.
