Një tjetër kongresmen amerikan ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara ditët e fundit në Shqipëri. Këtë herë bëhet fjalë për republikanin Keith Self, i cili ka komentuar pakënaqësinë e qytetarëve dhe shqetësimet lidhur me korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Përmes një reagimi publik, Self i ka cilësuar protestat si shprehje të mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve që ai i konsideron të korruptuar, si dhe të pakënaqësisë për mosrespektimin e shtetit të së drejtës.
Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve shqiptarë që t’u kushtojnë vëmendje kërkesave të protestuesve për ndryshime thelbësore.
“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, ka shkruar kongresmeni amerikan.
Reagimi i Keith Self vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri janë shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa kërkesat për ndryshime politike dhe institucionale vijojnë të jenë në qendër të debatit publik.
