Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kërvasarin e Malishevës, ku një çift u përfshi në një incident tragjik brenda banesës së tyre.
Sipas dyshimeve të deritanishme, Egzon Bytyqi, 26 vjeç, ka qëlluar me armë në drejtim të bashkëshortes së tij shtatzënë, Jetlira Foniqi, 25 vjeçe. Më pas, i riu dyshohet se ka qëlluar edhe veten në kokë.
Rastin në polici e ka raportuar babai i të dyshuarit. Në vendngjarje, hetuesit kanë sekuestruar një armë, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Tre ekipe mjekësore të QKMF-së kanë transportuar të plagosurit drejt Dhomës së Emergjencës së QKUK-së. Gruaja, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë, mbërriti në spital rreth orës 01:10, por nuk mundi të mbijetojë.
Ndërkohë, i dyshuari ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore. Për shkak të plagëve të marra, ai është i intubuar dhe deri tani nuk është kryer ndërhyrje kirurgjikale.
Nga të dhënat e bëra publike, bëhet e ditur se 26-vjeçari kishte jetuar për rreth shtatë vjet në Gjermani. Çifti ishte i martuar prej rreth një viti e gjysmë, ndërsa Jetlira kishte lëvizur mes Kosovës dhe Gjermanisë pas martesës.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se çifti kishte pasur konflikte gjatë periudhës së fundit. Familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për probleme të tilla.
Ndërkohë, Policia ka sqaruar se pretendimet për probleme të mundshme të shëndetit mendor të të dyshuarit nuk janë konfirmuar deri në këtë fazë.
Jetlira Foniqi është përcjellë për në banesën e fundit në Llozicë, qytetin e saj të lindjes.
