Super radarët hyjnë në funksion në Serbi, gjobat regjistrohen automatikisht pa ndalur shoferët
Një sistem i ri i radarëve stacionarë ka hyrë zyrtarisht në funksion në të gjithë Serbinë. Pajisjet moderne do të monitorojnë trafikun në kohë reale dhe do të evidentojnë automatikisht shkeljet, pa qenë nevoja që policia rrugore të ndalojë automjetet.
Sipas raportimeve, radarët e rinj janë të aftë të kontrollojnë shpejtësinë aktuale dhe atë mesatare në segmente të caktuara rrugore, të identifikojnë automatikisht targat e automjeteve në çdo kusht atmosferik, si dhe të zbulojnë manovra të rrezikshme dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Sistemi evidenton edhe mosvendosjen e rripit të sigurimit, përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit pa pajisje “hands-free”, si dhe tejkalimin e kufirit të lejuar të shpejtësisë. Të dhënat u dërgohen menjëherë autoriteteve kompetente për procedurat përkatëse.
Ky konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt dixhitalizimit të kontrollit të trafikut, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e numrit të aksidenteve, duke e afruar Serbinë me standardet e vendeve më të zhvilluara evropiane.
Gjobat e parashikuara për disa nga shkeljet më të zakonshme:
- Mosvendosja e rripit të sigurimit: rreth 80 euro.
- Përdorimi i telefonit gjatë vozitjes pa “hands-free”: rreth 80 euro (ose rreth 40 euro nëse gjoba paguhet brenda afatit të përcaktuar).
- Tejkalimi i shpejtësisë në zonat e banuara:
- Deri në 10 km/h mbi kufirin: rreth 25 euro.
- 11–20 km/h mbi kufirin: rreth 40 euro.
- 21–40 km/h mbi kufirin: rreth 80 euro.
- 51–70 km/h mbi kufirin: nga 160 deri në 320 euro, me mundësi burgimi deri në 30 ditë.
- Mbi 70 km/h mbi kufirin: nga 800 deri në 960 euro, me pezullim të patentës dhe mundësi dënimi me burg.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, pasi sistemi i ri i monitorimit funksionon 24 orë në ditë dhe regjistron automatikisht çdo shkelje.

Be First to Comment