Ndërsa vendet fqinje po ndërmarrin masa konkrete për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve, në Shqipëri kostoja e jetesës vijon të mbetet një shqetësim i madh për qytetarët.
Në Greqi ka nisur një nismë kombëtare për uljen e çmimeve në supermarkete, e cila përfshin më shumë se 1,600 produkte. Uljet pritet të zgjasin deri në katër muaj dhe në disa raste të arrijnë deri në 30%, me synimin për të zbutur shpenzimet e familjeve.
Por çfarë po ndodh në Shqipëri?
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% në korrik 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo normë është rreth pesë herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, ku rritja ishte vetëm 0.6%.
Shqipëria renditet kështu e pesta ndër 36 vendet europiane për nivelin më të lartë të inflacionit të ushqimeve. Përpara saj janë Turqia me 37.6%, Rumania me 4.6%, Qipro me 4.5% dhe Islanda me 4.4%.
Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm kur krahasohen çmimet me të ardhurat. Shqiptarët vijojnë të kenë ndër fuqitë blerëse më të ulëta në Europë, ndërsa çmimet e ushqimeve janë tashmë mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9% të mesatares së BE-së, nga 99.6% një vit më parë. Pra, një shportë ushqimore që në BE kushton mesatarisht 100 euro, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, sipas matjes me fuqinë blerëse.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 43% e mesatares europiane, ndërsa konsumi individual për frymë arrin në 48%.
Kjo tablo nxjerr në pah një kontrast të fortë: **të ardhura shumë më të ulëta, por çmime ushqimore që jo vetëm afrohen, por edhe tejkalojnë mesataren europiane.**
Për shumë familje shqiptare, pyetja mbetet e njëjtë: **kur do të ndërmerren masa konkrete për uljen e kostos së jetesës?**
