Evis Sala jep dorëheqjen nga posti i ministres së Shëndetësisë
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra mesditën e kësaj të mërkure.
Sipas burimeve mediatike, Sala, e cila iu bashkua kabinetit qeveritar të Edi Ramës rreth një vit më parë, ka marrë vendimin për t’u larguar nga posti që mbante.
Mësohet se letra e dorëheqjes i është dorëzuar personalisht kryeministrit Edi Rama gjatë një mbledhjeje të zhvilluar këtë të mërkurë në ambientet e Vilës së Kuqe.
Deri në këto momente, nuk janë bërë të ditura arsyet që kanë çuar ministren drejt këtij vendimi.
Evis Sala, mjeke dhe pedagoge universitare, u emërua në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në shtator të vitit 2025, kur kandidatura e saj u prezantua zyrtarisht nga kryeministri Edi Rama.
E diplomuar në Universitetin e Tiranës, Sala ka zhvilluar një karrierë të gjerë akademike dhe profesionale edhe jashtë vendit. Ajo ka bashkëpunuar me institucione të njohura ndërkombëtare, mes tyre Universitetin e Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Shtetet e Bashkuara dhe Policlinico Gemelli në Romë.
Deri më tani, mbetet e paqartë se kush do ta pasojë Evis Salën në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
