Skip to content

LAJM I PAPRITUR/ Kushdo mund të bëhet polic? Ministri zbulon moshën maksimale

Ndryshon kufiri i moshës për Policinë e Shtetit, ja kush mund të aplikojë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për rishikimin e kufirit të moshës për pranimin në Policinë e Shtetit. Ndryshimet synojnë të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë, profesionistët me përvojë dhe punonjësit që vijnë nga struktura të tjera të sigurisë.

Vendimi është marrë pas kërkesave të shumta të qytetarëve që kanë shprehur interes për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit dhe për të kontribuar në garantimin e sigurisë.

Sipas urdhrit të ri, kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë mund të aplikojnë deri në moshën 35 vjeç për pozicionet zbatuese, përfshirë shërbimin në Patrullën e Përgjithshme, përmes ndjekjes së Kolegjit Bazë.

Kufiri deri në 35 vjeç vlen gjithashtu për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin programin Bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe më pas të angazhohen në strukturat e Policisë në rolin e parë drejtues, me gradën nënkomisar.

Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për profesionistët me arsim të lartë. Kandidatët që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve dhe kanë profile të përshtatshme, si ekonomi, financë, teknologji informacioni dhe fusha të tjera, mund të pranohen në rolin e parë drejtues deri në 40 vjeç, pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisarë.

Ndërkohë, për punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë, nuk do të ketë kufizim moshe, në rast se ata plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kalojnë procedurat përkatëse të pranimit.

Ministri Lamallari e ka cilësuar vendimin si një hap drejt krijimit të mundësive më të barabarta për kandidatët që duan të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Sipas tij, në vlerësimin e kandidatëve duhet të merren parasysh jo vetëm mosha, por edhe niveli i arsimimit, kualifikimet dhe përvoja profesionale.

“Vokacioni për sigurinë, rifreskimi i organizatës policore dhe fuqizimi i saj mbi përvojat e mëparshme të prurjeve të reja udhëheqin misionin tonë për një Polici më profesionale, më të fortë dhe më pranë qytetarëve”, u shpreh Lamallari.

Published inNews Shqip