Përplasje në Tiranë, protestuesit i afrohen Taulant Ballës teksa pinte kafe
Një grup protestuesish janë përplasur mbrëmjen e sotme me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ndodhej në një lokal pranë stadiumit “Air Albania”.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, protestuesit i janë afruar Ballës duke i drejtuar thirrje dhe akuza, ndërsa deputeti socialist është ngritur nga tavolina dhe është larguar nga lokali.
Në video, protestuesit dëgjohen duke i thënë Ballës: “O hajdut, Taulant Balla, o kriminel”. Më pas, ai është parë duke hyrë në një prej dyqaneve të qendrës tregtare, ndërsa protestuesit vijonin ta ndiqnin nga pas.
Pak minuta pas incidentit, Balla ka reaguar në rrjetet sociale duke publikuar një fotografi nga protesta e zhvilluar në Tiranë. Në reagimin e tij, ai ka komentuar pjesëmarrjen në tubim dhe ka përdorur tone kritike ndaj protestuesve.
“Janë aq të dëshpëruar saqë bërtasin rrugëve si pijanikët pasi kanë tejkaluar sasinë e alkoolit. O sorra, mjaft se nuk ju ka kush në refene!”, ka shkruar Balla.
Incidenti ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ndërsa pamjet e përplasjes janë shpërndarë gjerësisht.
