Zvicra shton trupat në Kosovë, deri në 300 ushtarë në kuadër të Swisscoy
Senati zviceran ka miratuar rritjen e numrit të ushtarëve që mund të angazhohen në kuadër të misionit paqeruajtës Swisscoy në Kosovë.
Me vendimin e ri, qeveria zvicerane mund të vendosë deri në 300 pjesëtarë ushtarakë në Kosovë, ndërsa deri tani kufiri maksimal ishte 215 trupa.
Edhe Dhoma e Përfaqësuesve e kishte mbështetur më herët këtë propozim. Parlamenti i ka dhënë gjithashtu autorizim Këshillit Federal që, në rast nevoje, të dërgojë deri në 85 ushtarë shtesë, pa përcaktuar një afat të caktuar për këtë angazhim.
Fillimisht, Senati kishte propozuar një rritje më të vogël, me 30 trupa shtesë, por në fund u mbështet varianti i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Në të njëjtën kohë, Zvicra ka vendosur që misioni Swisscoy në Kosovë të vazhdojë të paktën deri në vitin 2029.
Vendimi është marrë në një periudhë kur NATO ka paralajmëruar mundësinë e një reduktimi gradual të pranisë së saj ushtarake në Kosovë.
