Presidenti në detyrë ndryshon pas konstituimit të Kuvendit të ri, ja çfarë pritet të ndodhë
Albulena Haxhiu pritet t’ia dorëzojë detyrën e ushtrueses së presidentit të Kosovës kryetarit të ri të Kuvendit, sapo të zgjidhet drejtuesi i legjislaturës së njëmbëdhjetë.
Nga Presidenca e Kosovës kanë sqaruar për Radion Evropa e Lirë se vendi nuk mund të mbetet pa një ushtrues detyre të presidentit. Sipas tyre, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kompetencat e ushtrimit të detyrës së presidentit kalojnë automatikisht te ai ose ajo, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Legjislatura e re, e dalë nga zgjedhjet e qershorit, ende nuk është konstituuar. Seanca konstituive, e nisur më 6 gusht, vijon të jetë e papërfunduar për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar fillimisht një dakordësi për zgjedhjen e presidentit të ri.
Haxhiu e ushtron këtë detyrë që prej 4 prillit, kur mori përgjegjësinë si kryetare e Kuvendit të legjislaturës së dhjetë, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.
Kushtetuta përcakton se ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund ta mbajë këtë funksion për më shumë se gjashtë muaj. Për Haxhiun, afati përfundon më 4 tetor.
Nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president i ri, Presidenca ka lënë të hapur mundësinë e kërkimit të një interpretimi nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se aktualisht nuk mund të paragjykohet nëse një procedurë e tillë do të jetë e nevojshme.
Ndërkohë, fokusi politik mbetet te zgjedhja e një presidenti me mandat të plotë.
Në fillim të kësaj jave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arritën një marrëveshje për kandidaturën e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu. Megjithatë, marrëveshja nuk u mbështet nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e zgjedhjes së tij në krye të shtetit.
Kryeministri në detyrë dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi pas këtij zhvillimi se përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së presidentit do të vazhdojnë, duke thënë se aktualisht janë 74 vota në mbështetje të Sejdiut.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në votim, nga 120 që ka Kuvendi i Kosovës. Në dy rundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet sipas Kushtetutës dhe zgjedhjet e reja duhet të zhvillohen brenda 45 ditësh.
