Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Asamblenë e Partia Socialiste e Shqipërisë në Njësinë 14 në Tiranë, ku foli për zhvillimet ekonomike dhe rritjen e pensioneve.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se përmirësimi i ekonomisë ka krijuar mundësi konkrete për rritje të vazhdueshme të pensioneve në vitet në vijim. Sipas tij, tashmë ekziston një plan i qartë dhe i parashikuar për disa vite përpara.
Ai bëri të ditur se rritja e pensioneve e aplikuar në janar të këtij viti do të vijojë të shumëfishohet çdo vit: duke u dyfishuar në janarin e ardhshëm, trefishuar në vitin 2028, katërfishuar në 2029 dhe pesëfishuar deri në vitin 2030.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te kritikat e opozitës, duke theksuar se rritja e të ardhurave dhe mundësia për të rritur pensionet dhe pagat lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik, dhe jo me pretendimet për rritje të korrupsionit.