Çmimet e naftës bien pas armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit
Çmimet e naftës kanë shënuar rënie në tregjet ndërkombëtare, teksa armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit ka ulur shqetësimet për ndërprerje të furnizimeve globale me energji. Investitorët janë inkurajuar gjithashtu nga sinjalet e ardhura nga Uashingtoni për qarkullim më të qëndrueshëm të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në bursën e Londrës, nafta tregtohej pasditen e sotme me rreth 4 dollarë më pak krahasuar me mbylljen e një dite më parë, duke arritur në 90.20 dollarë për fuçi. Ndërkohë, në tregun amerikan, çmimi ra me 4.54 dollarë, në 86.76 dollarë për fuçi.
Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë qenë faktori kryesor që ka ndikuar në luhatjet e tregut. Pavarësisht armëpushimit, tensionet mbeten të pranishme. Gjatë fundjavës, ushtria izraelite kreu sulme në periferinë jugore të Bejrutit, ndërsa Irani reagoi me goditje ndaj objektivave izraelite.
Javën e kaluar, Teherani pezulloi bisedimet për armëpushim me SHBA-në, duke pretenduar se marrëveshjet janë shkelur në disa fronte, përfshirë Libanin dhe Gazën. Sipas mediave iraniane, ndalimi i sulmeve izraelite në Liban ishte një nga kushtet kryesore të vendosura nga Irani për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë.
Ndërkohë, Izraeli iu kundërpërgjigj sulmeve iraniane me goditje ndaj disa objektivave në Iran, përfshirë një kompleks petrokimik. Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se ka goditur një objekt petrokimik në qytetin e Haifës.