Një lajm i hidhur ka tronditur botën e muzikës popullore shqiptare këtë të shtunë, pasi është ndarë nga jeta një prej instrumentistëve më të njohur të jugut të vendit, klarinetisti i talentuar Spiro Mastora.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili përmes një mesazhi prekës vlerësoi kontributin e çmuar që artisti ka dhënë ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e muzikës tradicionale shqiptare.
“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit popullor dhe klarinetistit të njohur Spiro Mastora. Si pjesë e familjes së njohur gjirokastrite Mastora, ai la gjurmë të pashlyeshme në skenat artistike brenda dhe jashtë vendit përmes interpretimit të tij të shkëlqyer të motiveve folklorike. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara”, shprehet Golemi.
Spiro Mastora ishte një prej figurave më të spikatura të muzikës tradicionale në jug të Shqipërisë. Me mjeshtërinë e tij në klarinetë dhe instrumente të tjera popullore, ai interpretoi për dekada me radhë meloditë karakteristike të Gjirokastrës dhe Dropullit, duke fituar respektin dhe admirimin e publikut.
Trashëgimia e tij artistike konsiderohet një pasuri e vyer për kulturën shqiptare dhe do të vazhdojë të jetojë përmes muzikës që ai la pas.
Talentin për muzikën e trashëgoi nga i ati, Vasil Mastora, një violinist dhe muzikant i njohur, i cili me interpretimet e tij shoqëroi për vite të tëra dasma, festivale dhe aktivitete kulturore në mbarë jugun e vendit.
Ndarja nga jeta e Spiro Mastorës përbën një humbje të madhe për artin dhe folklorin shqiptar. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë mes familjarëve, miqve, kolegëve dhe të gjithë artdashësve që vlerësuan talentin dhe kontributin e tij ndër vite.