Skip to content

NATO reagon pas sulmit ndaj një shteti aleat, rriten tensionet me Rusinë

NATO ka reaguar pas një incidenti të ndodhur në Rumani, ku një ndërtesë banimi u godit nga një dron gjatë sulmeve ruse ndaj infrastrukturës ukrainase pranë kufirit rumun.

Në një deklaratë zyrtare, aleanca ushtarake dënoi ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për sigurinë rajonale.

“Herët këtë mëngjes, një ndërtesë banimi në Rumani u godit nga një dron ndërsa Rusia po sulmonte objektiva të infrastrukturës ukrainase pranë kufirit. Ne dënojmë fuqishëm këtë sjellje të papërgjegjshme të Rusisë”, thuhet në reagimin e NATO-s.

Aleanca nënvizoi se do të vazhdojë të forcojë kapacitetet mbrojtëse kundër kërcënimeve të ndryshme, përfshirë sulmet me dronë dhe sfidat e tjera që cenojnë sigurinë e vendeve anëtare.

Rumania, e cila është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, ndodhet në vijën kufitare me Ukrainën dhe ka qenë disa herë e ekspozuar ndaj incidenteve të lidhura me luftën që po zhvillohet në rajon.

Pas ngjarjes, vëmendja është përqendruar edhe te Neni 5 i Traktatit të NATO-s, i cili parashikon se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës. Megjithatë, aktivizimi i këtij neni nuk nënkupton automatikisht ndërhyrje ushtarake.

Sipas procedurave të NATO-s, çdo shtet anëtar vendos në mënyrë të pavarur formën e ndihmës që mund të ofrojë, qoftë ushtarake, politike, logjistike apo humanitare. Më pas, veprimet koordinohen në kuadër të aleancës.

Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, kur vendet anëtare ofruan mbështetje për aleatin e tyre amerikan.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *