Skip to content

LAJMI I FUNDIT / SHBA paralajmëron Kosovën, ja çfarë po ndodh

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjen drejtuar liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për zhbllokimin e situatës institucionale dhe krijimin e institucioneve të reja, në respektim të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit u ka bërë apel forcave politike që të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës.

“Ngërçi i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të rëndësishme. Liderët duhet t’i japin përparësi stabilitetit dhe progresit, në interes të të gjithë qytetarëve”, deklaroi zëdhënësi amerikan.

Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që SHBA-ja përcjell një mesazh të tillë. Më 12 gusht, edhe Ambasada amerikane në Prishtinë u kishte kërkuar partive politike të bashkëpunonin për gjetjen e një zgjidhjeje.

Kriza institucionale vijon ndërsa Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, kur deputetët e legjislaturës së re bënë betimin. Megjithatë, procedura u bllokua në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë për konsultime me partitë e tjera, duke argumentuar se ende nuk ishte arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi u caktua për 8 gusht.

Edhe më 8 gusht nuk u paraqit kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Situata u tensionua gjatë seancës, kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi të ndërpresë punimet.

Që prej asaj kohe, procesi i konstituimit të Kuvendit ka mbetur i bllokuar. Dehari ka deklaruar se seanca e radhës do të thirret vetëm kur partitë të gjejnë një marrëveshje politike, duke vlerësuar se një seancë pa dakordësi nuk do të sillte rezultat.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, më 18 gusht Albin Kurti zhvilloi një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Diskutimet u përqendruan edhe te zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Pas takimit, të dy liderët deklaruan se ekzistonte vullnet për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u dakordësuan që në takimin e ardhshëm të diskutonin edhe emra konkretë.

Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar që puna e Kuvendit të vijojë pa pritur një marrëveshje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre subjekteve u mblodhën në sallën plenare duke kërkuar thirrjen e seancës së radhës, ndërsa situata u shoqërua edhe me përplasje verbale dhe tensione mes deputetëve.

Thirrjeve për zgjidhjen e krizës u është bashkuar më herët edhe Bashkimi Evropian. BE-ja ka paralajmëruar se zvarritja e krijimit të institucioneve dhe vonesat në reformat e nevojshme mund të ndikojnë në mundësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja financiare evropiane.

Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro, përmes granteve dhe kredive të favorshme deri në fund të vitit 2027. Fondet janë të kushtëzuara nga përmbushja e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.

Komisioni Evropian ka parashikuar 111 hapa reformues për Kosovën. Një pjesë e tyre, me vlerë të konsiderueshme financiare, kanë afate përmbushjeje gjatë vitit 2026.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësim për pasojat e ngërçit politik, duke vlerësuar se zgjatja e krizës ka penguar përparimin në zbatimin e reformave dhe ka kufizuar qasjen në disa burime të financimit të jashtëm.

Published inNews Shqip