DANIMARKA HAP DYERT PËR PUNËTORËT SHQIPTARË/ Skema e re nis në 2027, ja kushtet dhe paga
Danimarka pritet të vendosë në zbatim nga 1 janari 2027 një skemë të re punësimi për shtetasit e huaj, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Skema do t’u mundësojë punëdhënësve danezë që plotësojnë kriteret e përcaktuara të rekrutojnë punonjës nga 16 vende të përzgjedhura.
Për të përfituar nga kjo mundësi, kompanitë duhet të plotësojnë disa kushte. Ndër kriteret kryesore janë përfshirja në një marrëveshje kolektive përkatëse, të kenë ushtruar aktivitet për të paktën dy vite dhe të kenë minimumi 10 punonjës me kohë të plotë në Danimarkë.
Gjithashtu, punëdhënësit duhet të regjistrohen pranë autoritetit danez të emigracionit dhe të pajisen me një certifikatë që konfirmon përmbushjen e kërkesave.
Shqipëria në listën e 16 vendeve
Krahas Shqipërisë, lista përfshin Indinë, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Japoninë, Malajzinë, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Singaporin, Ukrainën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Skema synon t’u japë kompanive daneze një tjetër mundësi për të gjetur punonjës jashtë vendit, por vetëm nëse ato përmbushin kriteret dhe certifikohen paraprakisht.
Paga minimale: 322 mijë korona daneze
Sipas skemës së re, paga minimale për punonjësit e rekrutuar do të jetë 322,000 korona daneze.
Autoritetet daneze bëjnë të ditur se ky nivel është më i ulët krahasuar me pragjet e pagave të përcaktuara në disa prej skemave të tjera të zakonshme të punësimit.
Skema nuk do të jetë automatike për çdo kompani. Punëdhënësi duhet fillimisht të përmbushë kushtet e përcaktuara dhe të marrë certifikimin përkatës nga autoriteti danez i emigracionit.
Nëse miratohet sipas planit, skema e re pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
