TRAGJEDI NË TURQI/ 39-vjeçari hidhet nga skela dhe humb jetën, detaji tragjik që nuk e pa
Një moment argëtimi gjatë pushimeve u shndërrua në një tragjedi të rëndë në Alanya të Antalyas, Turqi, ku humbi jetën një 39-vjeçar, baba i tre fëmijëve.
Arif Erman u hodh nga skela e një hoteli drejt detit, por nuk e kuptoi se në atë pjesë uji ishte jashtëzakonisht i cekët. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentet para aksidentit, ku 39-vjeçari shihet teksa afrohet në skajin e skelës, merr vrull dhe hidhet me kokë në ujë.
Në zonë ishin vendosur tabela që ndalonin zhytjet për shkak të kushteve të rrezikshme. Megjithatë, Erman u hodh në det dhe përplasi trupin me fundin, pasi thellësia në atë pikë ishte vetëm rreth gjysmë metri.
Punonjësit e hotelit ndërhynë menjëherë pas incidentit. Një roje bregdetare e nxori 39-vjeçarin nga uji dhe nisi reanimimin, ndërsa në vendngjarje u thirr edhe ambulanca.
Erman u transportua me urgjencë në spital, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të marra.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjithashtu, po shqyrtohet nëse në zonën ku ndodhi aksidenti ishin marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
