Bushati: Shqipërisë i mungojnë burrështetasit që vendosin shtetin mbi pushtetin
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas protestave të fundit qytetare në Tiranë dhe në qytete të tjera ku jetojnë shqiptarë, duke i cilësuar ato si një thirrje për ndryshim dhe për një Shqipëri më të drejtë.
Në analizën e tij me titull “Për një Shqipëri të Re”, Bushati kritikon qeverisjen aktuale dhe thekson se vendi po përballet me probleme të thella demokratike, ekonomike dhe sociale. Sipas tij, Shqipëria nuk ka vuajtur nga mungesa e liderëve të fortë, por nga mungesa e burrështetasve që vendosin interesin kombëtar mbi pushtetin politik.
“Ne shqiptarët nuk kemi vuajtur nga mungesa e udhëheqësve të pushtetshëm, por nga mungesa e burrështetasve të mençur e patriotë që sakrifikojnë pushtetin për shtetin”, shkruan Bushati.
Ai ngre shqetësime për rrëshqitjen e standardeve demokratike, ndikimin e parasë së pistë në ekonomi, pabarazinë sociale, krizën e strehimit dhe emigracionin, duke argumentuar se sfida kryesore e vendit nuk është vetëm rritja ekonomike, por garantimi i një jete me dinjitet për qytetarët.
Bushati bën thirrje për një ripërtëritje demokratike, ndarjen e shtetit nga pushteti, forcimin e institucioneve dhe një model të ri zhvillimi ekonomik. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një klasë politike që fiton besimin e qytetarëve përmes vizionit dhe jo përmes frikës apo zhgënjimit.
“Shqiptarët nuk meritojnë të zgjedhin vazhdimisht mes frikës dhe zhgënjimit. Meritojnë të votojnë për një vizion dhe për një të ardhme më të sigurt”, thekson ai.