Meteorologia Lajda Porja ka bërë parashikimin e motit, duke theksuar se vendi ka hyrë zyrtarisht në stinën e nxehtë.
Sipas saj, temperaturat e ditëve të sotme pritet të arrijnë deri në 35–36°C dhe do të mbeten në këto nivele edhe në ditët në vijim.
Ajo shpjegoi se kjo valë e të nxehtit vjen si pasojë e masave ajrore të nxehta me origjinë afrikane, të cilat fillimisht kanë prekur jugperëndimin e Europës dhe më pas janë përhapur në pjesën më të madhe të kontinentit.
Sipas Porjas, gjatë ditëve të fundit janë regjistruar temperatura të larta në disa vende të Europës, ndërsa e njëjta situatë po ndikon edhe në rajon.
Ajo shtoi se në Shqipëri, temperaturat më të larta pritet të shënohen në qarqet e Shkodrës, Elbasanit dhe Beratit, ndërsa ditët e ardhshme do të mbeten me vlera të ngjashme.
Meteorologia theksoi gjithashtu se fundjava mund të sjellë një freskim të lehtë të motit, me rënie të temperaturave rreth 33°C, por pa ndryshime të mëdha në situatën e përgjithshme.
Sipas saj, moti nuk do të jetë plotësisht i kthjellët, pasi vranësirat do të jenë të pranishme dhe në disa zona priten edhe rrebeshe të izoluara shiu, kryesisht në zonat lindore dhe juglindore të vendit.