Në një qytet ku sot dominon zhurma e makinave dhe ritmi i përditshmërisë urbane, dikur dëgjohej një tingull i veçantë: ai i trenit që lidhte Tiranën me pjesën tjetër të vendit.
Pas dekadash mungese, projekti për rikthimin e hekurudhës në kryeqytet ka hyrë zyrtarisht në fazën e garës. Tenderi me vlerë 15.7 milionë euro synon të realizojë lidhjen mes Terminalit të Transportit Publik dhe Stacionit Qendror të Trenit në Tiranë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të trenit në qytet.
Drejtori i Projektit për hekurudhën Tiranë–Durrës–Rinas, Bashkim Kasoruho, ka dhënë detaje mbi ecurinë e punimeve dhe afatet e realizimit. Sipas tij, projekti përfaqëson një rikthim të rëndësishëm të transportit hekurudhor në zemër të Tiranës.
Ai thekson se stacioni i ri do të vendoset në të njëjtin lokacion si më parë, rreth 100 metra pranë bulevardit “Zogu i Parë”, duke rikthyer kështu funksionalitetin hekurudhor në kryeqytet pas shumë vitesh mungesë.
Sipas të dhënave të projektit, linja Tiranë–Durrës ka kaluar në disa faza zhvillimi, ku një pjesë e konsiderueshme e punimeve është përfunduar. Aktualisht po punohet në fazën përfundimtare të pastrimit të linjës dhe ndërtimit të infrastrukturës mbështetëse.
Një tjetër komponent i rëndësishëm është elektrifikimi i linjës, i cili financohet në bashkëpunim me BERZH, me 50% kredi dhe 50% grant. Punimet pritet të zgjasin rreth 18 muaj dhe të përfundojnë në fund të vitit 2027.
Sa i përket shpejtësisë, trenat modernë do të mund të arrijnë deri në 120 km/h në funksion të kushteve të linjës dhe ndalesave, ndërsa në segmentin urban të Tiranës shpejtësia do të jetë rreth 70 km/h.
Trenat e rinj do të jenë elektrikë dhe të pajisur me standarde moderne, përfshirë akses për persona me aftësi të kufizuara, hapësira për biçikleta, kondicionim dhe tualete, sipas modeleve europiane.
Nëse projekti ecën sipas planit, rikthimi i trenit në Tiranë pritet të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në transportin publik, duke sjellë sërish në qytet një element që për shumë vite ka qenë vetëm kujtim.