Bukurie Mata, nëna e Bleona Matës, e cila rezulton e zhdukur prej 16 vitesh, ka folur në emisionin “Dita Jonë” në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur.
Mes lotësh dhe emocionesh të forta, ajo ka hedhur akuza ndaj familjes së ish-bashkëshortit të saj, duke thënë se ata po fshehin të vërtetën për zhdukjen e vajzës.
“Familja e babait të Bleonës nuk e di pse e fsheh një krim brenda vetes. Kush e di diçka?! Kjo më çmend. Nuk do të dorëzohem kurrë, vetëm kur të vdes. Pa Bleonën nuk kam jetë”, është shprehur ajo.
Bleona Mata u zhduk 16 vite më parë, kur ishte vetëm 6 vjeçe. Rasti i saj mbetet ende i pazbardhur, ndërsa familja vijon të kërkojë drejtësi dhe informacion për fatin e së miturës.
Në të njëjtën ditë, nëna e saj ka theksuar dhimbjen e madhe që vazhdon prej më shumë se një dekade e gjysmë, duke thënë se ende pret një lajm të mirë për vajzën e saj.
Ndërkohë, gazetarja Odeta Dume, e cila e ka ndjekur rastin prej vitesh, ka bërë me dije se së fundmi është shfaqur një pistë e re hetimi për çështjen e Bleonës.
Sipas saj, gjatë viteve janë verifikuar disa informacione që kanë çuar në vende të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, por ende nuk ka një konfirmim përfundimtar. Ajo theksoi se hetimet dhe bashkëpunimi me institucionet po vazhdojnë, ndërsa pista e re po verifikohet me kujdes.