Skip to content

MOMENT HISTORIK PËR KOSOVËN/ SHBA-ja jep mesazhin e fortë për Ballkanin!

### LIGJI I RI I MBROJTJES NË SHBA/ 901 miliardë dollarë për sigurinë, Kosova përfshihet në dokument

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin 2026, një paketë me vlerë rreth **901 miliardë dollarë**, e cila përcakton prioritetet e SHBA-së për mbrojtjen dhe sigurinë.

Shuma e parashikuar në ligj është rreth **8 miliardë dollarë më e lartë** se kërkesa fillestare e administratës Trump.

Një pjesë e rëndësishme e dokumentit lidhet edhe me **Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor**. Në ligj theksohet rëndësia strategjike e Kosovës dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon.

Dokumenti e konsideron stabilitetin e Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor si të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike amerikane.

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Kongresi amerikan e konsideron marrëveshjen e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve si një hap pozitiv dhe kërkon përparim në zbatimin e saj. Njëkohësisht, dokumenti mbështet një zgjidhje përfundimtare të bazuar në **njohje reciproke**, ndërsa kundërshton ndarjet territoriale, shkëmbimet e territoreve apo ndryshimet e kufijve mbi baza etnike.

Ligji shpreh gjithashtu mbështetje për **zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor**, duke përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe për rrugëtimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian.

Në dokument parashikohet mbështetje për reformat demokratike, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, Kosova përfshihet në përpjekjet rajonale për të monitoruar dhe kundërshtuar ndikimin rus dhe kinez, ndërsa parashikohet edhe mbështetje amerikane për sigurinë kibernetike.

Ligji përfshin edhe masa të tjera të rëndësishme në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Për **Ukrainën** janë autorizuar **800 milionë dollarë** për dy vitet e ardhshme, nga 400 milionë dollarë për secilin vit, në kuadër të iniciativës amerikane për ndihmën e sigurisë.

Gjithashtu, **175 milionë dollarë** janë parashikuar për mbështetjen e mbrojtjes së Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë.

Një tjetër dispozitë kufizon mundësinë e Departamentit amerikan të Mbrojtjes për të reduktuar numrin e trupave amerikane në Evropë nën **76 mijë efektivë**. Ligji gjithashtu ruan pozicionin e komandantit amerikan në Evropë si Komandant Suprem i Aleatëve në Evropë (SACEUR).

Në tërësi, ligji përcakton fondet për blerjen e avionëve, anijeve, sistemeve raketore dhe pajisjeve të tjera ushtarake, si dhe parashikon rritje pagash për pjesëtarët e forcave të armatosura dhe masa për përballimin e kërcënimeve gjeopolitike.

Published inNews Shqip