Moti i paqëndrueshëm do të vijojë të shoqërojë Shqipërinë edhe gjatë ditëve në vijim, me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit. Sipas parashikimeve meteorologjike, veriu i vendit do të jetë zona më e prekur nga reshjet, ndërsa në pjesën qendrore dhe jugore priten kryesisht shtrëngata dhe rrebeshe me kohëzgjatje të shkurtër.
Gjatë javës moti do të karakterizohet nga alternime mes vranësirave, reshjeve dhe intervaleve të përkohshme me kthjellime. E marta parashikohet të jetë më e qetë, sidomos në zonat qendrore dhe jugore, ku reshjet do të jenë më të pakta. Ndërkohë, në veri do të vijojnë reshjet me intensitet të ulët deri mesatar.
E mërkura sjell rikthimin e reshjeve, ndërsa e enjtja më e qetë
Të mërkurën pritet shtim i vranësirave dhe rikthim i reshjeve në disa zona të vendit. Një përmirësim i përkohshëm parashikohet gjatë së enjtes, kur intensiteti i reshjeve do të jetë më i ulët.
Megjithatë, kjo qetësi nuk do të zgjasë shumë. Sipas parashikimeve, e premtja dhe fundjava do të jenë periudhat me më shumë reshje, të cilat mund të përfshijnë një pjesë të madhe të territorit.
Temperaturat në rritje, pritet të arrijnë deri në 25 gradë
Edhe pse reshjet do të jenë të pranishme, temperaturat do të shënojnë rritje duke filluar nga e mërkura. Pas një fillimi jave relativisht të freskët, pritet ardhja e masave ajrore më të ngrohta, të cilat do të ndikojnë në rritjen e vlerave termike.
Sipas parashikimit, temperaturat maksimale mund të arrijnë nga 24 deri në 25 gradë Celsius, duke sjellë kushte relativisht të ngrohta për këtë periudhë të vitit.
Meteorologët parashikojnë një situatë tipike vjeshtore, me lagështi të shtuar, temperatura të buta dhe reshje që do të shfaqen në intervale të ndryshme gjatë ditës. Në disa zona nuk përjashtohen edhe rrebeshe më intensive.
Nëntori karakterizohet zakonisht nga një numër i lartë ditësh me reshje në Shqipëri, ndaj moti i paqëndrueshëm pritet të mbetet prezent edhe në vazhdim.
