Një ngrohje e pazakontë e ujërave të Oqeanit Paqësor ka ngritur shqetësimin e shkencëtarëve, pasi fenomeni El Ninjo mund të sjellë temperatura më të larta, thatësira dhe reshje intensive në pjesë të ndryshme të botës.
El Ninjo është një fenomen klimatik që shfaqet zakonisht çdo tre deri në shtatë vjet dhe lidhet me ngrohjen e pazakontë të ujërave të Paqësorit lindor. Kjo ngrohje ndikon në qarkullimin atmosferik dhe mund të ndryshojë modelet e temperaturave dhe reshjeve në shumë rajone të botës.
Shkencëtari i klimës në Universitetin e Exeter, Matt Collins, ka paralajmëruar se episodi aktual mund të jetë jashtëzakonisht i fortë. Sipas tij, temperaturat e sipërfaqes së detit në zonën e El Ninjos në Paqësor kanë kaluar rekorde të mëparshme, ndërsa nëse trendi vazhdon, temperaturat në Paqësorin lindor mund të arrijnë rreth 4 gradë Celsius mbi mesataren.
“Temperatura e sipërfaqes së detit në rajonin e El Ninjos në Paqësor ka kaluar tashmë rekordin e mëparshëm të vitit 2015, duke arritur 3 gradë Celsius mbi mesataren”, është shprehur Collins për “The Guardian”.
Sipas tij, kulmi i fenomenit ende nuk është arritur dhe shkalla përfundimtare e tij do të bëhet më e qartë deri në fund të vitit.
Ndikimet e El Ninjos mund të jenë të ndryshme në varësi të rajonit. Në disa vende mund të shkaktojë periudha më të gjata nxehtësie dhe thatësire, ndërsa në zona të tjera mund të sjellë reshje të dendura dhe përmbytje.
Collins thekson se ndikimi i El Ninjos mund të përforcojë efektet e ndryshimeve klimatike. Nëse një rajon tashmë përballet me thatësirë për shkak të ngrohjes globale, një episod i fortë i El Ninjos mund ta përkeqësojë situatën.
Megjithatë, shkencëtari sqaron se lidhja mes ndryshimeve klimatike dhe fuqisë së El Ninjos është komplekse. Intensiteti i fenomenit ndikohet edhe nga temperaturat e oqeaneve të tjera, përfshirë Atlantikun dhe Oqeanin Indian.
“Shiu shkon atje ku uji është më i ngrohtë. Nëse nxehtësia shpërndahet, edhe reshjet do të shpërndahen. Nëse nxehtësia përqendrohet në një oqean, reshjet do të zhvendosen dhe mund të bëhen më intensive në atë zonë”, ka shpjeguar Collins.
Ai ka folur gjithashtu për mënyrën se si El Ninjo ndikon në transferimin e nxehtësisë nga oqeani drejt atmosferës. Sipas tij, kjo është pjesë e ciklit natyror të fenomenit dhe nuk do të thotë se oqeanet kanë arritur një kufi përtej të cilit nuk mund të përthithin më nxehtësi.
Eksperti paralajmëron se në dekadat e ardhshme mund të shfaqen episode të tjera të forta të El Ninjos, me pasoja të rëndësishme për bujqësinë dhe ekonominë globale.
Ndikimi mund të jetë veçanërisht i madh në vendet më të varfra, të cilat përballen tashmë me pasojat e ndryshimeve klimatike dhe janë më të ekspozuara ndaj thatësirave, përmbytjeve dhe luhatjeve të temperaturave.
