Një tragjedi e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti në Durrës. Për herë të parë kanë reaguar edhe fëmijët e autorit të ngjarjes, 57-vjeçarit Nikoll Radaçi.
Në një mesazh të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, vajza dhe djali i tij shprehin dhimbjen e thellë dhe kërkojnë falje publike ndaj familjeve të viktimave.
“Sot dalim përpara familjeve të viktimave me një dhimbje të madhe dhe me një barrë të rëndë në zemër. Në emrin tonë dhe të familjes sonë, kërkojmë falje publike për tragjedinë që ka ndodhur,” – shprehen ata.
Ata theksojnë se janë të vetëdijshëm që asnjë fjalë nuk mund të lehtësojë dhimbjen e familjeve që humbën fëmijët e tyre, duke e cilësuar këtë ngjarje si një plagë që nuk do të shërohet kurrë.
“E dimë që asnjë kërkim faljeje nuk mund të kthejë jetët e humbura. Megjithatë, ndjejmë detyrimin moral dhe njerëzor të përulemi me respekt të thellë dhe të shprehim keqardhjen tonë më të sinqertë,” – vijon mesazhi.
Në reagimin e tyre, ata nënvizojnë se nuk kërkojnë justifikime dhe nuk shmangin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur, duke u shprehur të gatshëm të përballen me drejtësinë dhe të mbështesin familjet e prekura në çdo mënyrë të mundshme.
Një apel i drejtpërdrejtë u drejtohet familjeve të viktimave:
“Ju kërkojmë falje me gjithë shpirt. Dhimbja juaj është e paimagjinueshme dhe e padrejtë.”
Aksidenti tragjik ndodhi në lagjen nr. 15 në Durrës, ku 57-vjeçari, duke drejtuar një automjet tip “Benz ML” në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe përplasi tre fëmijë që po luanin në trotuar. Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën, ndërsa një tjetër vijon të jetë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta dhe ka hapur debat mbi sigurinë rrugore dhe përgjegjësinë individuale.
Në këtë situatë të rëndë, theksohet se përgjegjësia për një akt të tillë është personale. Familjarët e autorit nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tij dhe nuk duhet të bëhen objekt gjykimi apo sulmesh.