Një ditë pas tragjedisë që tronditi Durrësin, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga Nikoll Radaçi në gjendje të dehur, familja e 57-vjeçarit është larguar nga banesa e tyre në zonën e ish-Kënetës.
Sipas raportimeve, gruaja dhe tre fëmijët e tij janë zhvendosur nën mbikëqyrjen e policisë, për shkak të frikës nga hakmarrja.
Ndërkohë, në një mesazh të dërguar për JOQ Albania, djali dhe vajza e Radaçit kanë reaguar publikisht, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e tyre me familjet e viktimave. Ata kërkojnë falje për tragjedinë e rëndë dhe theksojnë se ndihen të përkulur përpara dhimbjes së familjeve Muça dhe Nikolli.
“Sot dalim përpara jush me një dhimbje të thellë dhe një barrë të rëndë në zemër. Në emrin tonë dhe të familjes sonë, kërkojmë falje publike për tragjedinë që ka ndodhur,” thuhet në mesazhin e tyre.
Ata shtojnë se janë të vetëdijshëm se asnjë fjalë nuk mund të zbusë dhimbjen për humbjen e jetëve të pafajshme, duke e cilësuar këtë ngjarje si një plagë që nuk do të shërohet kurrë.
“E dimë që asnjë kërkim faljeje nuk mund të kthejë jetët e humbura. Megjithatë, ndjejmë detyrimin moral dhe njerëzor të përulemi me respekt dhe të shprehim keqardhjen tonë më të sinqertë,” vijon reagimi.
Në fund, ata theksojnë se dhimbja e familjeve të Kles Nikollit dhe Enea Muçës është e paimagjinueshme dhe e padrejtë, duke kërkuar falje me gjithë shpirt.
Ngjarja tragjike ndodhi kur tre fëmijë ndodheshin pranë rrugës dhe u përplasën nga një automjet tip “Benz” që lëvizte me shpejtësi të lartë. Dyshohet se drejtuesi humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas drejtpërdrejt me ta. Përplasja rezultoi fatale për dy prej të miturve, të cilët ndërruan jetë në vend, ndërsa fëmija i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Pas aksidentit, drejtuesi u largua nga vendngjarja duke braktisur automjetin, por më vonë u identifikua dhe u arrestua nga policia si Nikoll Radaçi.