Skip to content

Nafta shtrenjtohet, rikthehet Bordi i Transparencës: Ja çfarë ndryshon

Ka hyrë sot në fuqi vendimi për rikthimin e Bordit të Transparencës, rreth tre muaj pasi ky mekanizëm ishte shpërndarë. Rikthimi vjen në një moment kur çmimi i naftës në treg ka arritur në 229 lekë për litër, ndërsa benzina tregtohet me rreth 219 lekë për litër.

Bordi i Transparencës ka si funksion përcaktimin e çmimeve tavan për karburantet në vend, me synimin për të kufizuar rritjet e pajustifikuara të çmimeve nga kompanitë që operojnë në këtë sektor.

Çmimet e përcaktuara nga Bordi gjatë situatave të veçanta janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e nënprodukteve të naftës dhe gazit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, si edhe subjektet e licencuara që operojnë në tregun me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se paralelisht do të aktivizohet edhe një mekanizëm për uljen e akcizës së karburantit. Sipas saj, akciza do të reduktohet me 20% në rastet kur çmimi me pakicë i naftës kalon 220 lekë për litër, ndërsa për benzinën pragu është mbi 200 lekë.

“Duke qenë se kemi marrë një vendim paraprakisht, ku sa herë çmimi të kalojë 220 lekë, ne do të aktivizojmë një mekanizëm për reduktimin e akcizës me qëllim që çmimi të reduktohet, mekanizmi i vetëm me të cilin ne mund të aktivizonim këtë mekanizëm ishte ringritja e Bordit të Transparencës”, u shpreh Ibrahimaj.

Rikthimi i Bordit synon kështu të shërbejë si mekanizëm për ndërhyrjen në treg në kushtet e rritjes së çmimeve të karburanteve.

Published inNews Shqip