Futbolli italian është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-sulmuesit të njohur Igor Protti, i cili u shua në moshën 58-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin e zorrës së trashë.
Lajmi i trishtë u konfirmua nga familja e tij përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale. Në njoftim u përfshi edhe letra prekëse e lamtumirës që vetë Protti kishte lënë, ku e krahasonte jetën e tij me një ndeshje futbolli që kishte mbërritur në vërshëllimën e fundit të arbitrit.
Në mesazhin e tij, ish-futbollisti shprehte mirënjohjen për familjen, miqtë dhe tifozët që e kishin mbështetur gjatë gjithë jetës dhe karrierës sportive.
Protti ishte një figurë e respektuar e futbollit italian, i njohur veçanërisht për paraqitjet e tij me Barin dhe Livornon. Gjatë karrierës ai veshi gjithashtu fanellat e Lazios dhe Napolit, duke fituar vlerësimin e tifozëve për shpirtin luftarak dhe përkushtimin në fushën e lojës.
Familja bëri të ditur se homazhet në nder të tij do të zhvillohen në sallën mortore Frongillo në Cecina, duke nisur nga ora 15:00.
Pak kohë më parë, Protti kishte folur hapur për sëmundjen e tij, duke e përshkruar atë si një sfidë të vështirë që duhej përballuar me guxim dhe vendosmëri. Dalja e tij e fundit publike ishte në fund të muajit maj, gjatë dasmës së vajzës së tij, një moment që mbetet ndër kujtimet e fundit të ish-sulmuesit italian.