Kodi i ri Rrugor hyn në fuqi, masa më të ashpra për shoferët që shkelin rregullat
Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të miratuara nga Kuvendi dhe të publikuara në Fletoren Zyrtare më 22 korrik, kanë hyrë tashmë në fuqi duke sjellë masa më të forta ndëshkuese për drejtuesit e mjeteve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me shoferët që përsërisin drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit. Nëse një drejtues është dënuar më parë për këtë shkelje dhe kapet sërish duke drejtuar mjetin me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, leja e drejtimit do t’i hiqet përfundimisht.
Ndryshime ka edhe për personat që drejtojnë automjete pa patentë. Nëse një person madhor kapet duke qarkulluar pa leje drejtimi, përveç gjobës do t’i ndalohet marrja e patentës për një vit. Për të miturit masa është edhe më e rreptë, pasi duhet të presin të paktën dy vite pas mbushjes së moshës 18 vjeç për t’u regjistruar në autoshkollë.
Rregulla të veçanta do të zbatohen edhe për shoferët e rinj gjatë dy viteve të para pas marrjes së patentës. Ata nuk duhet të konsumojnë alkool kur janë në timon dhe do të kenë kufizime më të ulëta shpejtësie: deri në 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h në rrugët jashtë zonave të banuara.
Mosrespektimi i këtyre rregullave sjell gjoba nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe humbje pikësh. Në rast të dy shkeljeve brenda një viti, kufizimet për shoferët e rinj zgjaten edhe me një vit tjetër.
Gjithashtu janë rritur gjobat për tejkalimin e shpejtësisë në zonat e banuara dhe për manovrat agresive. Në vend të masës së mëparshme prej 10 mijë deri në 40 mijë lekë, gjoba tashmë varion nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit është një tjetër pikë ku janë ashpërsuar masat. Një shofer që kapet dy herë brenda një viti me telefon në dorë gjatë drejtimit të automjetit do t’i pezullohet patenta për tre muaj.
Ndalimi i përdorimit të celularit gjatë lëvizjes vlen jo vetëm për drejtuesit e makinave, por edhe për përdoruesit e biçikletave, motorëve deri në 50 kubikë dhe monopatinave.
Një tjetër ndryshim lidhet me pezullimin e lejes së drejtimit. Nëse më parë pezullimi mund të zëvendësohej me pagesën e dyfishit të vlerës së gjobës, për patentat e lëshuara nga autoritetet shqiptare kjo mundësi nuk ekziston më. Pezullimi do të zbatohet automatikisht sipas vendimit të marrë.
Ndryshimet synojnë rritjen e sigurisë në rrugë dhe forcimin e masave ndaj shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit.
