Moti i qëndrueshëm, me diell dhe temperatura relativisht të ngrohta, pritet të vijojë deri të enjten. Megjithatë, nga dita e premte kushtet atmosferike do të ndryshojnë dhe vendi do të përfshihet nga një situatë më e paqëndrueshme.
Sipas Administratës Hidrometeorologjike, gjatë fundjavës do të ketë vranësira të shpeshta dhe reshje shiu në pjesë të ndryshme të vendit. Reshjet pritet të jenë më të theksuara në zonat perëndimore, ndërsa në disa lokacione mund të shfaqen në formë të rrëmbyeshme dhe të shoqërohen me bubullima.
Një tjetër ndryshim pritet të dielën, kur era do të ndryshojë drejtim dhe do të nisë të fryjë nga veriu. Ky zhvillim do të sjellë një rënie të temperaturave dhe një përkeqësim të lehtë të kushteve atmosferike, duke sjellë mot më të freskët në vend.
