Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen e rapsodit të njohur Hasan Çetaj. Djali i tij, Arianit Çetaj, 34 vjeç, është gjetur pa shenja jete paraditen e së enjtes në banesën e familjes në Pejë.
Sipas të dhënave paraprake, i riu është gjetur i pajetë në shtëpinë e familjes, në rrugën “Vëllazëria Dalemani”. Rrethanat dhe shkaku i vdekjes mbeten ende të paqarta dhe janë bërë objekt hetimi nga autoritetet.
Vetëm disa orë para ngjarjes tragjike, Arianiti kishte qenë së bashku me babain e tij, rapsodin Hasan Çetaj, dhe pjesëtarë të tjerë të familjes në një dasmë në Prizren. Pas përfundimit të ahengut, familja ishte kthyer në shtëpi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa më pas secili ishte tërhequr për të pushuar.
Por, disa orë më vonë, familja u përball me lajmin e rëndë.
Rreth orës 09:30, babai dhe vëllai i Arianitit e gjetën atë të përkulur mbi një divan në tarracën e banesës. Menjëherë u njoftuan ekipet e Emergjencës dhe Policia e Kosovës.
Në vendngjarje mbërriti ekipi mjekësor, por, pavarësisht ndërhyrjes, mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e 34-vjeçarit.
Pas njoftimit për rastin, në vendin e ngjarjes shkuan zyrtarë të Policisë së Kosovës, hetues, krimteknikë dhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda. Autoritetet kryen ekzaminimet e nevojshme dhe siguruan provat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ekzaminimi mjeko-ligjor pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.
Vdekja e Arianit Çetajt ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe të njohurit e tij, si dhe te qytetarë të shumtë në Pejë e më gjerë.
Një mbrëmje që kishte nisur me gëzim e festë familjare u kthye brenda pak orësh në një tragjedi të rëndë për familjen Çetaj, e cila humbi në mënyrë të parakohshme djalin e saj.
Familjes Çetaj, të afërmve dhe miqve të Arianitit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.


Be First to Comment