Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Laredo të Teksasit, pranë kufirit mes SHBA-së dhe Meksikës, ku gjashtë persona janë gjetur të pajetë brenda një vagoni treni mallrash. Zbulimi makabër është bërë nga një punonjës i kompanisë hekurudhore Union Pacific në një zonë të izoluar ku ngarkohen dhe shkarkohen vagonët tregtarë.
Sipas autoriteteve amerikane, policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe konfirmuan se të gjashtë personat kishin humbur jetën. Deri tani nuk janë bërë publike identitetet apo origjina e viktimave, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende mister.
Hetuesit po shqyrtojnë me serioz mundësinë që rasti të lidhet me emigracionin e paligjshëm, pasi raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë pranë kufirit SHBA-Meksikë. Autoritetet dyshojnë se viktimat mund të kenë mbetur të bllokuara në kushte ekstreme brenda vagonit, ku temperaturat e larta dhe mungesa e ajrit mund të jenë bërë fatale.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tragjeditë e shumta të viteve të fundit që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore në Shtetet e Bashkuara.