Një ditë pas përfundimit të takimeve me strukturat e Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar në Pogradec, kryeministri Edi Rama ka ndarë një përmbledhje të diskutimeve dhe qëndrimeve të shprehura gjatë takimeve.
Rama ka theksuar nevojën për një ndryshim të qasjes në qeverisje, duke nënvizuar se shqetësimet e qytetarëve duhet të jenë në qendër të vëmendjes së çdo socialisti. Kreu i qeverisë u ka kërkuar ministrave që të monitorojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe periodike punën e drejtorive që varen prej tyre.
Sipas Ramës, drejtuesit politikë duhet të kenë një rol më aktiv në terren dhe të ndjekin nga afër problematikat e qytetarëve, ndërsa ministrat duhet të analizojnë çdo muaj performancën e institucioneve në varësi.
“Fiksimi ynë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari. Prandaj drejtuesit politikë duhet t’u japim fuqi që ta ndjekin territorin, ndërsa ministrave do t’u duhet t’u japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht të gjitha drejtoritë”, është shprehur Rama.
Ai ka theksuar gjithashtu se një bashkëpunim më i madh mes deputetëve dhe analizimi i përbashkët i problematikave mund të sjellë ndryshime në mënyrën e funksionimit të strukturave dhe institucioneve.
