Skip to content

Pas 4 orësh diskutime, zbardhen porositë e Ramës për ministrat

Mblidhen socialistët në Sauk, Rama jep porositë për ministrat dhe drejtuesit politikë

Ka përfunduar pas më shumë se katër orësh mbledhja e zhvilluar sot në Vilën e Kuqe në Sauk, ku socialistët kanë diskutuar mbi angazhimet e ardhshme dhe punën në terren.

Sipas burimeve mediatike, gjatë takimit secili drejtues politik ka prezantuar një kalendar për “Orën e Pranisë Besnike”, në kuadër të së cilës pritet të zhvillohen takime të drejtpërdrejta me qytetarët në zona të ndryshme të vendit.

Një pjesë e këtyre takimeve pritet të nisë që këtë fundjavë. Deputetë dhe zëvendësministra do të dalin në terren për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe problematikat e qytetarëve.

Burimet bëjnë me dije se porositë kryesore të kryeministrit Edi Rama kanë qenë të fokusuara te koordinimi, përgjigjja dhe zgjidhja e problematikave.

Zëvendësministrat kanë qenë ndër të parët që janë larguar nga mbledhja, pasi raportohet se kanë qëndruar rreth 15 minuta. Një nga udhëzimet e dhëna ka qenë që çdo ministri të caktojë një zëvendësministër përgjegjës për “Orën e Pranisë Besnike”, me qëllim që përfaqësuesit e qeverisë të jenë më pranë qytetarëve.

Mbledhja në Sauk vjen një ditë përpara mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet nesër në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave. Në këtë takim pritet të diskutohen edhe ndryshime të mundshme në përbërjen e qeverisë.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së sotme është raportuar edhe dorëheqja e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala. Ajo ka bërë të ditur përmes një video-mesazhi se vendimi për t’u larguar nga qeveria lidhet me angazhime të reja ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjithashtu për dorëheqjen, duke e falënderuar Salën për kontributin e saj në qeveri.

“Një falënderim i përzemërt për Profesore Evis Salën, e cila me përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e saj në qeverinë tonë si ministre e Shëndetësisë për programin e ri të reformave, ndërkohë që do të vazhdojë të jetë një ndihmë e çmuar paralelisht me angazhimin e mëtejshëm ndërkombëtar”, ka shkruar Rama.

Vëmendja tashmë pritet të përqendrohet te mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, ku mund të bëhen të ditura vendime të reja për qeverinë.

Published inNews Shqip