Paralajmërimi për motin në shtator: Temperaturat mbi mesataren, “vjeshta” vonon
Meteorologia Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar se muaji shtator pritet të karakterizohet nga temperatura më të larta se vlerat mesatare për këtë periudhë të vitit.
Sipas saj, moti i nxehtë do të vijojë edhe gjatë këtij muaji, ndërsa ndikimi i ndryshimeve klimatike po sjell një zgjatje të periudhës së temperaturave të larta.
“Do të jetë një shtator i nxehtë. Ky vit do të jetë i nxehtë deri në fund dhe, për shkak të ndryshimeve klimatike, nuk do të kemi një vjeshtë tipike”, u shpreh Gjoni.
Gjatë dy javëve të para të shtatorit, temperaturat maksimale pritet të mbeten të larta në të gjithë vendin, si në zonat bregdetare, ashtu edhe në ultësira dhe në zonat malore.
Sipas parashikimeve, muaji do të jetë përgjithësisht i thatë, megjithëse në zonat malore mund të ketë reshje të dobëta shiu.
Sa i përket javës së fundit të shtatorit, Gjoni bëri me dije se temperaturat pritet të pësojnë një rënie graduale.
Në zonat bregdetare, temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 36°C, ndërsa minimalet rreth 23°C. Në zonat e ulëta, maksimalet parashikohen deri në 35°C, me temperatura minimale rreth 22°C.
Ndërkohë, në zonat malore temperaturat maksimale pritet të shkojnë në 30–31°C, ndërsa gjatë natës temperaturat mund të zbresin deri në 15°C.
Sipas ekspertëve, ndryshimi më i dukshëm i motit pritet të ndihet drejt fundit të muajit, kur temperaturat do të nisin të ulen gradualisht.
