Në Kosovë vijojnë diskutimet për një paketë të re mbështetëse financiare, ku një nga masat kryesore parashikon dhënien e një pensioni shtesë për pensionistët. Megjithatë, kjo ndihmë pritet të jetë e njëhershme dhe jo një rritje e përhershme mujore.
Sipas burimeve, qëllimi i kësaj mase është të ofrojë lehtësim të përkohshëm për pensionistët, të cilët konsiderohen ndër shtresat më të prekura nga rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës. Theksohet se bëhet fjalë për një pagesë shtesë të vetme, pa ndikim afatgjatë në nivelin e pensioneve.
Ndërkohë, paketa – ende në fazë diskutimi – pritet të përfshijë disa kategori përfituesish, duke nisur nga pensionistët, tek familjet dhe punonjësit e sektorit privat.
Përveç pensioneve, në këtë paketë parashikohet edhe ndarja e një ndihme prej 100 euro për fëmijët, si mbështetje direkte për familjet. Edhe kjo masë pritet të jetë një pagesë e vetme, jo mujore.
Gjithashtu, në fokus të diskutimeve janë edhe punonjësit e sektorit privat, për të cilët po shqyrtohen forma të ndryshme mbështetjeje, si subvencione apo ndihma direkte financiare.
Paketa mund të përfshijë edhe masa të veçanta për familjet me të ardhura të ulëta dhe kategori të tjera në nevojë, me synim lehtësimin e barrës ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.